“Wizz Air Tirana Marathon 2026” sposton datën e organizimit

Organizatorët e “Wizz Air Tirana Marathon 2026” kanë bërë me dije ditën e sotme se aktivitetet e parashikuar për t’u mbajtur më 24 dhe 25 tetor do të shtyhen për në fundjavën e mesit të nëntorit. Situata delikate që po kalon kryeqyteti ka detyruar organizatorët, të cilët e kanë të pa mundur të garantojnë standardet e sigurisë për një garë të kësaj madhësie, të spostojnë eventin në 14 dhe 15 nëntor. “Të dashur garues, miq e mbështetës të maratonës. Nisur nga zhvillimet e fundit në vend, kemi marrë vendimin e vështirë, por të domosdoshëm, të shtyjmë Maratonën e Tiranës në datat 14 dhe 15 Nëntor”, thuhej në njoftim.

Mes të tjerash në njoftim të gjithë të interesuarit janë informuar se: “Të gjitha biletat transferohen automatikisht në datat e reja. Nuk kërkohet asnjë veprim nga ju. Regjistrimet vazhdojnë të jenë të hapura. Kush ka dashur të vrapojë dhe nuk ia kishte dalë në kohë. Kitet e garuesve janë të ruajtura të plota dhe do të shpërndahen 2 ditë përpara garës zyrtare”.