UFC-ja sfidon koronavirusin, por tashmë nuk duket aq skandaloze!

Futbolli ka vazhduar në Bjellorusi e në vende të tjera të botës, ndërsa është kthyer në Kore të Jugut, e po përgatitet për të rinisur në Gjermani. E pra, vendosmëria e presidentit të UFC-së, Dejni Uajt (Dana White), për të zhvilluar ndeshjet e tij, nuk duket edhe aq skandaloze. Në Arenën e boshatisur të Xheksonvilit në SHBA, u zhvillua një kryendeshje e Arteve të përziera marciale, ajo mes Xhastin Getjes (Gaethje) dhe Toni Fergusonit, dhe fitues doli i pari, madje në mënyrë vendimtare. Getje, ish-mundës, u tregua më i fortë se rivali duke fituar me nokaut teknik në raundin e pestë, pasi gjyqtari e ndaloi ndeshjen.

Kjo do të thotë se amerikani do të ndeshet tani me kampionin absolut të peshave të lehta, Habib Nurmagomedov. Ky i fundit reagoi menjëherë në Instagram, duke e përgëzuar fituesin. “Xhastin Getje, ishte kaq impresive, përgëzime. Një luftim shumë inteligjent”, – shkruajti dagestanasi me pasaportë ruse. Fergusoni ishte llogaritur për t’u ndeshur pikërisht me Nurmagomedovin, por sfida u anulua për shkak të koronavirusit, dhe për shkak se kampioni mbeti i bllokuar në Moskë për shkak të kufizimeve të udhëtimeve.

Sfidanti.al