Ibra e Kulushevski janë goditjet, por Interi s’ia ka frikën rivalëve!

Milani e nisi vitin e ri me imazhin e Zllatan Ibrahimoviçit. Juventusi, ndërkaq, nuk u vonua dhe kreu vizitat mjekësore për Dejan Kulushevskin, ndërsa për të ardhmen mendon për Federiko Kiezën. Interi, nga ana e tij, ka gjithashtu projektet dhe emri i parë i janarit është Arturo Vidal. Barcelona nuk ka dëshirë ta humbasë, por lojtari dëshiron fanelën zikaltër, ndaj edhe po diskutohet.

Po ashtu, Eriksen i Totenhemit dëshiron të shkojë tek Interi madje që tani në janar. Më e keqja do të ishte të pritej deri në verë, kur danezi do të ishte i lirë me parametër zero. Konte e di se do të ketë konkurrencë, pasi 27-vjeçarin e mesfushës e duan edhe Paris SG, Reali e Barcelona. Në krah kërkohet Alonso nga Çelsi, në sulm mendohet të ikë Politano e të vijë Zhiru, ndërsa për fat të mirë, Sensi është rikthyer nga dëmtimi, një përforcim me nivel të lartë teknik për Interin.

Sfidanti.al