Për Guardiolën, Siti mund të përfundojë edhe në vend të 8-të!

Padyshim ishte një lloj krahasimi, një vlerësim i situatës së vështirë që po kalon ekipi i tij këtë sezon, por jo se ai e beson. Pep Guardiola deklaroi pas fitores 2-1 ndaj Evertonit, se “në situata të tilla, kur je kaq larg kreut, kur ke dalë dy herë radhazi kampion, mund të përfundosh edhe në vend të 7-të apo të 8-të, kjo mund të ndodhë, që ne të përfundojmë të 7-ët apo të 8-ët, por do të luftojmë deri në fund”.

Trajneri i Mançester Sitit, padyshim, u ndje i lehtësuar kur skuadra e tij e nisi vitin 2020 me fitore, madje ndaj një rivali jo edhe aq të lehtë si Evertoni. Gabriel Zhezus shënoi të dy gola, pas pushimit, ndërsa Risharlison i dha shpresë miqve, shpresë që nuk u konkretizua. “Ne luajtëm mirë, në nivel të lartë, – u shpreh më tej Pepi, – jam i lumtur për paraqitjen dhe sjelljen e lojtarëve”.

Siti kishte shumë mungesa, që nga portieri i pezulluar Ederson, tek lojtarët e dëmtuar, dhe ata të lënë në stol nga Guardiola, si Aguero, Uolker, Bernardo Silva apo Stërling (hyri në minutën e 90-të). Në fushë kishte futbollistë që shpesh nuk luajnë, apo luajnë pak. Bravo në portë, Rodrigo dhe Erik Garsia në mbrojtje, apo Foden në sulm. Gjithsesi, ishin yjet kryesorë që mbajtën barrën, dhe më të mirët u vlerësuan De Brujni, Gyndogani, Mahrezi e sidomos Gabriel Zhezus.

Sfidanti.al