I pesti për Topin e Artë? Ja përgjigja e Lionel Mesit

Nuk u desh të priste shumë dhe nuk e pati problem që ishte në fushë kundërshtare. Lionel Mesi iu përgjigj përzgjedhjes së bërë nga “Frans Futbolli”, që e la në vend të pestë për vitin 2018, duke realizuar dy gola të jashtëzakonshëm nga goditja e dënimit, në fitoren e derbi ndaj Espanjolit. Kapiteni i Barcelonës goditi dhe shtyllën, ndihmoi shokët që të shënonin, si dhe luftoi në mbrojtje duke rikuperuar topa të humbur, në suksesin 4-0.

Tashmë, ai ka 11 gola në 13 ndeshje të luajtura këtë sezon në La Liga, shënuesi më i mirë bashkë me Stuanin, por ka edhe 8 asiste për gol, duke qenë numri 1 në këtë statistikë. Dy rrjetat e tjera për katalanasit, në fushën e rivalëve, ishin të Suarezit dhe Usman Dembelesë. Barça kryeson kampionatin me 31 pikë, tri më shumë sesa Sevilja e vendit të dytë.

Sfidanti.al