I mungonte Kupa, Mesi prishi një tjetër “zero” këtë sezon!

Pavarësisht dëmtimit, nuk ka qenë një sezon “i thatë” deri tani për Lionel Mesin, përkundrazi. Me 17 gola në La Liga dhe 6 në Champions, ylli i Barcelonës ishte në rregull me “planin e tij vjetor”, veçse i kishte mbetur edhe një kompeticion pa realizuar, Kupa e Mbretit. Jo se nuk kishte dashur, por nuk kishte pasur mundësi. Mbrëmjen e së enjtes, ai shënoi edhe në kupë, në portën e Levantes.

Barcelona fitoi 3-0, duke përmbysur humbjen 1-2 të ndeshjes së parë, e duke u kualifikuar për në çerekfinale. Trajneri Valverde kishte vendosur të mos e lodhte kapitenin në kupë, por humbja e detyroi që të mos rrezikonte. Dy golat e parë u shënuan nga Usman Dembele, që po e gjen veten gjithnjë e më shumë në radhët e katalanasve.

Mesi ka shënuar deri tani 23 gola në 24 ndeshje këtë edicion, në standardet e tij më të mira, dhe besohet se do ta kalojë shifrën e 40 golave për herë të 10-të radhazi në karrierë.

Sfidanti.al