Humbja në Moldavi cilësohet turpi më i madh i futbollit të Polonisë

Skenat e festës ishin të mrekullueshme dhe plotësisht të ligjshme. Nuk ndodh shpesh që skuadra numër 171 në renditjen e FIFA-s të arrijë një fitore të tillë ndaj një kundërshtari me emër si Polonia, siç bëri Moldavia në Çisinau. Për më tepër, duke përmbysur humbjen, e duke arritur sukses nga shifrat 0-2 në 3-2. Duhej besim i madh për një kombëtare që u mposht pa kushte nga Shqqipëria të shtunën në “Arenën Air Albania”, por që tani papritur ka hyrë në garë për kualifikim në finalet e Kampionatit Europian. Si mund të jetë ndryshe kur është në vend të tretë në grupin tonë eliminator, jo larg kombëtares kuqezi që është e dyta.

Polakëve nuk u bëri punë Robert Levandovski që shërbeu asist dhe shënoi gol. Nikolaesku shënoi dy herë në pjesën e dytë, dhe Babohlo vulosi fitoren 5 minuta para fundit. “Ky është turpi më i madh në historinë e futbollit polak”, komenton analisti Robert Blonjski për të përditshmen “Przheglad Sportovi”. Mediat polake njoftojnë se presidenti i Federatës, Sezari Kuleba, do të ketë takim urgjent në zyrën e tij me trajnerin e kombëtares Fernando Santos. Vetë tekniku portugez pranoi përgjegjësinë e tij për humbjen, ndërsa foli pas ndeshjes, por shprehu besimin se ai dhe futbollistët e kombëtares do të dinë të reagojnë. Polonia është në vendin e katërt në grupin tonë eliminator të Europianit me vetëm 3 pikë, ndërsa Çekia ka 7, Shqipëria 6 e Moldavia 5 pikë.

Sfidanti.al