“Hija e De Biazit” dhe trajneri i ri i kombëtares!

Jo çdo italian është padyshim një mjeshtër. Armand Duka e di mirë këtë gjë dhe ndaj do të mendohet mirë përpara sesa të caktojë trajnerin e ri të kombëtares. Bosi i Federatës ka nisur turneun e përhershëm, tashmë për herë të shtatë, për të gjetur “nusen” e re, dhe kandidatët nuk mungojnë, veçse ka një problem

Xhani De Biazi “nuk bën më nëna”. Trashëgimia e shkëlqyer e italianit të dytë (i pari dhe i harruari është Dosena) e bën të vështirë për këdo patriot të tijin që të ulet në stolin kuqezi. Së fundmi, Duka është ulur në tavolinë me Xhankarlo Kamolezen (në foto), ish-portier dhe njeri simpatik, si dhe trajner me mjaft pasion.

A mund ta bëjë Kamoleze “vezën” e De Biazit? Kurrë nuk mund të flitet para kohe, por karriera e tij nuk ka ato shkëlqime që “Ganiu ynë” i pati me Modenën dhe Torinon. Po Valter Zenga? Mjafton të kujtosh fjalët e presidentit të Uolvesit në Angli që tha vjet se “gabimi im më i madh ishte që mora trajner Zengën”.

Shkolla italiane, gjithsesi, ofron emra të njohur si Zakeronin 64-vjeçar, Guidolinin 61 vjeç apo Roberto Di Mateon që është vetëm 47, ndaj edhe Duka nuk do të vuajë për të gjetur trajner. Basti i panjohur është nëse do të mundin të barazohen me atë që realizoi paraardhësi, Xhani De Biazi.

Sfidanti.al