Tifozët e Barcelonës në ankth, Iniesta ende nuk po rinovon kontratën

Andres Iniesta mban tifozët e Barcelonës në ankth. Mesfushori spanjoll ende nuk ka marrë një vendim për rinovimin e kontratës e cila skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe nuk përjashtohet  mundësia që ai të lërë skuadrën ‘blaugrana’ për të tentuar një aventurë të re. Iniesta ka mundur të fitojë gjithçka me fanelën e Barcelonës dhe do të kërkojë stimuj të rinj për të vijuar karrierën e tij. Kjo situatë e krijuar te Barcelona do të kërkohet të shfrytëzohet nga një pjesë e mirë e klubeve evropiane që e kërkojnë atë. Guardiola e dëshiron te Manchester City, ndërkohë që edhe Juventus ka shfaqur interesin për 33 vjecarin. Së fundmi në listën e klubeve që duan shërbimin e Iniestës është shtuar edhe Interi, drejtuesit e të cilit i kanë kërkuar informacione Ariedo Braidës për Iniestën. Barcelona nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Iniestës, por duke parë lidhjet e forta me këtë futbollist, ka vendosur ta lërë të lirë për të marrë vendimin që ai e konsideron më të volitshëm. Ndërkaq, Iniesta ka bërë një premtim se nëse do të largohet nga Barcelona ai nuk do të shkojë kurrë tek ndonjë skuadër që mund të jetë kundërshtare e katalanasve, kështu që është e pamundur të mendosh Iniestën në ndonjë nga ekipet të 5 ligave më të rëndësishme evropiane.

sfidanti.al