Hënesi e ka me paratë e Sitit dhe PSG-së, por harron paratë e Bajernit

Nëse klubi bavarez është bërë ky që është sot në Gjermani dhe në Europë, kjo ka ndodhur së pari falë burimeve financiare të tifozëve të tij, në krahinën më të pasur të vendit. Bavaria është mbi gjithë landet e tjerë gjermanë, dhe përderisa në vendin e madh europian 51 për qind të aksioneve i kanë tifozët, kush ka më shumë para, financon më shumë dhe fiton më shumë. Në këtë mënyrë, Bajerni nisi dominimin në vitet 70-të për të mos u ndalur dhe sot Bundesliga është kthyer në një lodër të ekipit nga Mynihu. Gjithsesi, ish-presidenti Uli Hënes nuk e sheh këtë histori, por është shumë i zemëruar dhe i neveritur që sheikët nga Lindja e Mesme po investojnë tek Mançester Siti dhe Paris SG, para që ai i quan prej “m…”. Hënesi thotë se këto para nuk do t’u garantojnë këtyre skuadrave suksesin në Champions. “Ata nuk kanë fituar asgjë, me të vërtetë asgjë, – tha Hënesi, – ata do të humbasin sërish ndaj nesh. Ky duhet të jetë objektivi ynë”. Edhe klube të tjerë në kontinentin e vjetër, si Reali, Barcelona, Juventusi, Milani apo Interi, janë mbështetur tek fuqia financiare për të dominuar ndaj të tjerëve, veçse Hënesi është më i egërsuar me Sitin dhe PSG-në.

Sfidanti.al