Skocezët njihen si kurrnacë, por në Gjermani kanë një shprehje: Skocezët janë shvabë (banorë të krahinës së Shtutgartit) që i kanë përzënë si tepër dorëlëshuar! E qartë sesi mund të jenë vetë shvabët dhe gjermanët në përgjithësi. Në një vend ku çmimet e biletave janë relativisht të ulëta (edhe pse stadiumet janë supermodernë), ku 51 për qind e aksioneve të klubeve i kanë tifozët dhe ku pasuria vihet më shumë me eksporte sesa me konsum të brendshëm, në këtë vend pra është normale të mendosh dhe të flasësh si Uli Hënes apo Karl-Hajnc Rumenige.
Dy figurat e Bajernit kanë kritikuar ashpër shpenzimet e fundit (Nejmar, Mbape, Dembele). Fillimisht, Rumenige tha se “më mirë shpenzoj për të pasur një stadium, sesa për Nejmarin”, ndërsa tani Hënes i mbajti “ison” duke thënë se “asnjë lojtar nuk vlen më shumë se 100 milionë euro”. Fjalët janë “prej ari”, pasi një klub i madh futbolli mund të ketë buxhet vjetor 550 milionë euro dhe një depozitë në bankë prej 200 milionë eurosh (siç e ka Bajerni), por nuk mund t’i shpenzojë të gjitha këto për të blerë Nejmarin dhe Mbapenë!
Bajerni vetë ka rekordin e blerjeve pak më shumë se 40 milionë euro (mori këtë verë Tolisonë nga Lioni), ndërsa klubet gjermane shpenzojnë për rroga lojtarësh vetëm 55 për qind të buxhetit të tyre (në Itali, Spanjë dhe Angli mezi po mbahen në këmbë duke shpenzuar 80 për qind). Gjithsesi, kjo është ekonomia gjermane, mentalitet gjerman, ndërsa do të duhet që “Loja e Ndershme Financiare” (FFP – Financial Fair Play) të jetë më i rreptë dhe të mbulojë çdo klub të madh në botë.
Sfidanti.al