Plot 160 milionë euro janë një shifër e jashtëzakonshme dhe Filip Kutinjo ndoshta i meriton kështu si janë punët sot në tregun e futbollit. Nëse realizohet transferimi, edhe Liverpuli do të quhet që ka bërë një biznes të madh, me shitjen e tretë të mundshme në histori, pas Nejmarit dhe (ndoshta) Mbapesë. Barcelona gjithsesi nuk është e sigurt. Klubi katalanas kërkon garanci se nuk do të dështojë, ndërsa shpreson të marrë edhe dy futbollistë të tjerë pas Paulinjos dhe Dembelesë.
Në plane, duket se, janë Tomas Lemar i Monakos, dhe Paulo Dibala i Juventusit. Ky i dyti është përmendur edhe më parë, dhe besohet se Lionel Mesi do të ishte i lumtur që një shok i kombëtares së Argjentinës të vinte në “Kamp Nou”. Gazeta “Marka” thotë se pagesa për kartonin e Dibalës do të ishte e ngjashme me atë të Kutinjos, pra nga 125 deri në 160 milionë euro. Së fundi, Tomas Lemar. Mesfushori i Monakos mund të luajë kudo në mesfushë, ndërsa Barça sërish ka duel me Liverpulin që jep 80 milionë euro, plus sulmuesin Divok Origi në huazim.
Sfidanti.al