Në tavolinat e kafeneve pranë stadiumeve apo fushave stërvitore, prej kohësh qarkullon një zë i fortë, i pakundërshtuar dhe që në përgjithësi bëhet pjesë e të gjithëve: ky vit, titullin do t’ia japin Vllaznisë, sepse i ka ardhur koha. Një përfundim që duket deri diku logjik, nëse heqim pjesën “do t’ia japin”. Vallë, kush është ai që jep dhe kush e merr meritat përveç fushës? A ka futbolli një Zot? Në botë po… Maradona, Messi, Pele e shumë të tjerë.
Por pyetja që lind është: cili është Zoti i futbollit në vend, që vendos medaljet sipas llogarive të viteve apo balancave sezonale? Vllaznia padyshim ka arritur të ndërtojë një skuadër dinjitoze, dhe aq më tepër me të rinjtë shqiptarë, duke e bërë meritues titullin në mënyrë të drejtë. Por sindroma e futbollit – tifozët, drejtuesit dhe lojtarët – prej vitesh i pengon të mendojnë dhe të logjikojnë në bazë të meritokracisë sportive. Që nga Ballshi e deri në Shkodër, dihet mirë se nëse nuk është “viti i tyre”, mund të përpiqen sa të duan. Këtë e dinë shumë mirë njerëzit pranë lojës dhe aktorëve, aq sa e dinë edhe ata që drejtojnë fijet pas skenës së madhe.
sfidanti.al