Liverpool po kalon një nga periudhat më të vështira të dekadës së fundit. Humbja 2-1 ndaj Manchester United në “Anfield” – e para për “Djajtë e Kuq” në këtë stadium pas më shumë se dhjetë vitesh – shënon disfatën e katërt radhazi për kampionët në fuqi të Anglisë dhe ngre alarmin për trajnerin Arne Slot. Pamja e Mohamed Salah që largohej i dëshpëruar nga fusha në minutat e fundit, ndërsa skuadra e tij kërkonte me ngulm barazimin, u bë simbol i kësaj krize. Egjiptiani, dikur njeriu i mrekullive për Liverpool-in, duket i pafrymë dhe jashtë forme, duke zgjatur në shtatë ndeshje serinë pa gol (jo nga penalltia). “Nëse humbet katër herë radhazi, duhet të shqetësohesh. Futbolli kështu funksionon,” deklaroi Slot pas ndeshjes. “Nëse vazhdojmë të luajmë kështu, mund të fitojmë më shumë ndeshje – por humbjet ndikojnë në psikologjinë e grupit.”
Nëse Liverpool pëson një tjetër humbje të mërkurën ndaj Eintracht Frankfurt në Champions League, do të ishte seria më e keqe e humbjeve që nga viti 1953. Pavarësisht disa momenteve të pafat – si tre shtyllat e Cody Gakpo-s përpara golit të barazimit në minutën e 78-të – skuadra e Slot-it u duk pa ide dhe ritëm. Edhe përforcimet e bujshme si Alexander Isak (£125 milionë) dhe Florian Wirtz (£116 milionë) nuk kanë arritur të justifikojnë investimin kolosal prej 450 milionë paundësh në merkato. “Frimpong ndikoi më shumë në 10 minuta se Salah gjatë gjithë ndeshjes,” theksoi ish-mbrojtësi i Liverpool-it Stephen Warnock për BBC Radio 5 Live, duke shtuar se edhe Hugo Ekitike tregoi më shumë gjallëri se Isak. Liverpool, që sezonin e kaluar dominoi Premier League me qetësi dhe efikasitet, sot duket një skuadër e çorganizuar, e pasigurt në mbrojtje dhe pa frymëzim në sulm. Episodet e pasigurta të Milos Kerkez-it dhe polemikat pas përplasjes së Alexis Mac Allister-it me Virgil van Dijk vetëm sa shtuan tensionin në “Anfield”. Në prag të ndeshjes së radhës në Europë, tifozët presin një reagim të fortë nga skuadra që vetëm pak muaj më parë ngriti trofeun e kampionatit. Për Arne Slot, është momenti i së vërtetës – për të treguar nëse Liverpool po kalon thjesht një “bllokim” apo po përballet me një krizë të thellë strukturore.
sfidanti.al