Hej, ky është Champions, çfarë çmendurish në Londër e Dortmund!

Ndeshje pati shumë, plot 8, por ishin dy ato më të veçantat, dhe pikërisht për duele të tilla ndiqet kompeticioni më i madh i klubeve në botë. Çelsi-Ajaks dhe Dortmund-Inter ishin çmenduritë e së martës, me barazimin 4-4 dhe fitoren e vendasve 3-2, përkatësisht.

Le ta nisim me sfidën e madhe në Gjermani, ku Interi i Kontes u duk se po vazhdonte nisjen e shkëlqyer të sezonit. “Tak-fak” dhe epërsi 2-0 me gola të shënuar nga Lautaro Martinez e Matias Vesino. U duk se gjithçka përfundoi dhe se Dortmundi vuajti sërish atë “mentalitet” të mallkuar, që e pengoi kaq shumë. Gjithsesi, nxitimi nuk do të na kishte ndihmuar dhe ja ku doli në fushë skuadra e Lysien Favresë pas pushimit, me mendje tjetër. Tre gola njëri pas tjetrit shënuar nga Hakimi, Brant e sërish Hakimi në 26 minuta periudhë kohore. Fitoi Borusia, që nuk kishte kapitenin Rojs të dëmtuar, dhe që sulmuesin më të mirë Pako Alkaserin e kishte fillimisht në stol. U mund Interi i fortë, por pikërisht ashtu siç ia pati frikën Konte, për shkak sidomos të lodhjes dhe mungesës së stolit. Barcelona duhet të jetë lehtësuar jo pak.

Në “Stemford Brixh”, ndërkaq, çmenduria ishte edhe më e madhe. Ajaksi ishte në një planet tjetër duke kryesuar deri në 4-1 ndaj Çelsit vendas, me rrjeta të Tami Abrahamit (autogol), Kuinsi Promesit, Kepës (autogol) dhe Van de Bekut. Londinezët barazuan fillimisht për 1-1 (Zhorzhinjo, penallti), dhe shkurtuan në 1-4 (Azpilikueta). Më pas, dy qendërmbrojtësit e Ajaksit u përjashtuan për një minutë, Blind dhe Veltman, duke i dhënë mundësi Bluve të Lampardit që të barazonin, me anë të Zhorzhinjos (sërish penallti) dhe Risi Xhejmsit. Më shumë nuk patën fuqi të bënin.

Në ndeshjet e tjera, Liverpuli bëri detyrën ndaj Genkut, fitoi 2-1 në “Anfild” me mjaft ndryshime, ndërsa Napoli u mbajt në barazim 1-1 nga Salcburgu në “San Paolo”. Lajpcigu mundi 2-0 Zenitin në Rusi, Lioni mposhti Benfikën 3-1, ndërsa Valencia shkatërroi Lilën 4-1.

Grupi A: Liverpul-Genk 2-1, Napoli-Salcburg 1-1. Liverpul 9, Napoli 8, Salcburg 4, Genk 1.

Grupi B: Barcelona-Sllavia Pragë 0-0, Dortmund-Inter 3-2. Barcelona 8, Dortmundi 7, Interi 4, Sllavia 2.

Grupi C: Zenit-Lajpcig 0-2, Lion-Benfika 3-1. Lajpcigu 9, Lioni 7, Zeniti 4, Benfika 3.

Grupi D: Çelsi-Ajaks 4-4, Valencia-Lilë 4-1. Ajaksi 7, Çelsi 7, Valencia 7, Lila 1.

Sfidanti.al