Më mirë vonë se kurrë, por më mirë herët sesa të bëhet shumë vonë. Tek Barcelona ndoshta nuk duan që të provojnë një tjetër katastrofë si ato që u ndodhën dy vitet e fundit në Champions, dhe skuadra po “hedh vickla” ende pa u mbyllur faza e grupeve. Kaq tmerr u panë sytë nga Roma dhe Liverpuli, saqë yjet katalanas duket se janë të vendosur që të ndryshojnë “fletë”, e ndoshta ka ardhur koha që trajneri Ernesto Valverde të hapë krahun.
Barazimi në “Kamp Nou” ndaj Sllavias së Pragës u quajt një paraqitje “pa shpirt” nga mediat spanjolle. Ku shkoi, pra, “shpirti” i Barçës? Si mundet që një ekip që ka në fushë Ter Shtegenin, Pikenë, Lenglenë, Zhordi Albën (Sergi Roberton), Vidalin, Busketsin (Rakitiçin), De Jongun, Dembelenë (Fatihun), Grizmanin e Mesin të mos shënojë dot asnjë gol ndaj një rivali kaq të pabarabartë? Dakord, Interi gjithashtu nuk ia doli në “San Siro”, por nuk duket për të njëjtat arsye.
“Ne jemi ende në krye në Champions dhe në La Liga, – tha Pike më pas, – por, është e qartë se duhet të përmirësohemi, sepse nuk po luajmë siç duhet”. Sidoqoftë, barazimi erdhi pas humbjes në kampionat në Levante, madje duke pasur Mesin në formë të plotë, pra duhet të ketë arsye të forta që këto po ndodhin.
Sfidanti.al