Hazar pastaj Mbape, Zidan “harron” Nejmarin për Realin

Pas dimrit vjen pranvera, dhe tek Reali mund të ketë ditë të mira, siç ka ndodhur në pjesën më të madhe të historisë së tij. Zinedin Zidan ka nisur menjëherë të punojë për sezonin e ardhshëm, dhe “piketa e parë” është ajo me emrin Eden Hazar. Trajneri francez mësohet se ka bërë ofertën e parë për Çelsin, me vlerë rreth 80 milionë euro, ndonëse është e sigurt se klubi anglez nuk do të pranojë asnjë marrëveshje për më pak se 100 milionë paund stërlina, më shumë se 110 milionë euro. Vetë Hazar ka hedhur poshtë ofertat për rinovim kontrate nga Blutë, edhe pse kjo do ta bënte ndoshta lojtarin më të paguar në Premier Ligë.

Zidan, ndërkaq, dëshiron “të peshkojë” edhe tek Paris SG, dhe jo më kot presidenti madrilen, Perez, beson se ai “si francez që është, mund të bëjë diçka”. Besohet se trajneri nuk ka në plan Nejmarin, njeriun që u mendua prej shumë muajsh si objektivi kryesor i Realit. “Nejmar e pati shansin dhe e humbi për të shkuar në Madrid”, – thonë burime pranë klubit spanjoll. Zidan po mendon për Kilian Mbapenë, sulmuesin francez kampion të botës, që është edhe kërkesë e tifozëve. Perez do të pëlqente Nejmarin, edhe për arsye biznesi, por Zidan kërkon Mbapenë, ndonëse pritet të shihet nëse Paris SG do të pranojë të humbasë yllin për të cilin pagoi 180 milionë euro.

Sfidanti.al