Harri Kejn? Jo, Siti do ta thyejë rekordin anglez me Xhek Grelishin!

Për të shkuar deri në sulm duhet kaluar nga mesfusha, dhe Pep Guardiola këtë e ka shumë të qartë. Vetë ai ka qenë një mesfushor, ndaj edhe vlerësimi i tij për Xhek Grelishin është shumë i lartë. Kjo është arsyeja që fillimisht trajneri i Mançester Sitit pritet të vendosë rekordin anglez të transferimeve në futboll pikërisht për të marrë futbollistin e Anglisë dhe të Aston Vilës. Grelish ka kaluar një sezon të shkëlqyer në Premier Ligë, ndërsa është paraqitur bindës në ndeshjet e tij me Anglinë në Euro 2020. Për të, Pepi është gati të japë 100 milionë paundë stërlina, që do të thotë mbi 115 milionë euro, ndërsa pas tij synohet të merret Kejni. Nuk dihet nëse Siti do të ketë mundësi të shpenzojë shumë për kapitenin e Anglisë dhe yllin e Totenhemit, sepse Spërsat kërkojnë 175 milionë euro për kartonin e tij.

Sfidanti.al