Jemi në Premier Ligë, dhe nuk duhet të habitemi. Kështu u shpreh edhe trajneri Pep Guardiola pasi ekipi i tij, Mançester Siti në mënyrë thuajse të pabesueshme nuk ia doli në stadiumin “Vila Park”. Kampionia në fuqi e Anglisë gaboi rëndë në një përballje që e dominoi plotësisht duke marrë vetëm 1 pikë. Rastet vërtet të shumta sollën vetëm golin e përhershëm të Erling Halandit, që tani ka 10 në kampionat në 6 ndeshje, dhe kjo u pagua. Aston Vila vendase goditi vetëm një herë në portë dhe pati fatin të shënonte. Siti mbetet në garë për gjithçka, por ky barazim ashtu si ai në Njukasëll tregoi se nuk do të jetë e lehtë. “Ne luajtëm mirë, – tha Guardiola, – ne sulmuam dhe arritëm shpesh në zonë, por nuk ishim të saktë, dhe ky është një problem. i paguam gabimet tona dhe pësuam gol në rastin e vetëm që pati kundërshtari. Jam i lumtur me golin e Erlingut, por edhe me lojën e tij. Ne patëm shumë raste, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Shumëkush mendon se do ta kemi të lehtë, por unë e njoh këtë kampionat dhe nuk është kështu”.
Sfidanti.al