Guardiola në prag të Liverpulit: Nuk e njoh fjalën mbrojtje

Të shkosh në “Anfild” do të thotë të përpiqesh të ruash “kokën”. Pep Guardiola e provoi dy herë sezonin e kaluar, duke dalë i mundur dhe i eleminuar në Champions, me Mançester Sitin e tij, por trajneri katalanas nuk ka ndërmend të ndryshojë stilin. “Kurrë nuk e kuptoj konceptin që një ekip thjesht duhet të mbrohet, – tha ai, në prag të ndeshjes së radhës në fushën e Liverpulit, – kjo gjë nuk do të ndodhë as këtë herë”.

Pep theksoi se një lojë e tillë është e mërzitshme për atë vetë dhe për spektatorët, ndërsa shtoi se Siti nuk është ndërtuar për të luajtur ashtu. Gjithsesi, ai nuk premtoi fitore patjetër, por premtoi karakter. “Lojtarët duhet të jenë të fortë dhe të përballojnë presionin, – tha ai, – në ndeshje të tilla duhet të dish të rezistosh. Unë nuk e quaj veten të pathyeshëm, as vjet nuk mendoja kështu. Nëse Liverpuli do të luajë më mirë se ne dhe do të fitojë, ne do ta pranojmë”.

Sfidanti.al