Guardiola është i fiksuar pas Championsit, apo edhe pas Juventusit?!

Është pak a shumë si Kristiano Ronaldo, nëse mund të na lejohet krahasimi. Pep Guardiola ka provuar të drejtojë skuadra në disa nga ligat më të forta të botës, si në Spanjë, Gjermani dhe Angli, ndërsa i mbetet pa provuar Italia. Raportet mediatike janë që Juventusi është i interesuar për të, madje fort, duke pasur edhe plane konkrete. Tabloidi “San” (The Sun) shkruan se drejtuesit piemontezë kanë përgatitur një paketë të rëndësishme financiare, për të lejuar largimin e trajnerit nga Mançester Siti, dhe për t’i siguruar lojtarët që ai mendon se duhen në Torino.

Në 2018, Juvja gjithashtu pati interesim të fortë për Guardiolën, ndonëse katalanasi vazhdoi tek Siti duke fituar titullin kampion në 2019. Ky sezon, ndërkaq, duket më i vështirë me Liverpulin të shkëputur 22 pikë në Premier Ligë (praktikisht, të paarritshëm), ndërsa shpresa e vetme e sezonit mbetet Championsi. Gjithsesi, në Ligën e Kampionëve Guardiolës ia ka zënë rrugën Reali i Zidanit, një kundërshtar formidabël. Pep është i fiksuar pas Championsit, sepse nuk e ka fituar që nga 2011-ta kur kishte Mesin tek Barcelona, dhe dëshiron të provojë se mund ta fitojë edhe pa të. Ndoshta, për Juven do të nisë të mendojë pas Realit.

Sfidanti.al