Asambleja e jashtëzakonshme e Komitetit Olimpik Shqiptar, e paraqitur në publik, nuk ishte diçka që duhej refuzuar. Në fund të fundit, pjesa më e madhe e drejtuesve të sportit në Shqipëri, apo të disiplinave sportive në veçanti, treguan se pse këtu janë të dashuruar me regresin dhe se si një kënaqësi e kanë zaptuar me arrogancë e prej kohësh i kanë dhënë të drejtën vetes ta trajtojnë si të ishte një pronë private. Dhe përfundimi ishte, që pothuajse të gjithë pranuan të shkelnin frymën e olimpizmit, që përfaqëson bashkimin, tolerancën, apo altruizmin dhe të vazhdojnë “zhvillimin” e sportit me frymën autentike shqiptare: Koka që nuk mund të pritet… duhet blerë.
Për të qenë më të qartë, nevojitet të sillet në kujtesë një kronologji ngjarjesh. Për të mbërritur deri tek Asambleja e së djelës ndikuan një mori akuzash të presidentit Bezhani dhe mbështetësve të tij, drejtuar sekretarit Bello dhe një pjese të madhe të kryesisë së KOKSH-it, ekzaktësisht më shumë se gjysma dhe pikërisht për këtë arsye ky takim ishte i jashtëzakonshëm. Dhe çfarë akuzash, për krime të rënda si korupsion, mashtrim, zhvatje, të cilat u grupuan në një dosje dhe shëtitën dyerve të prokurorisë. Madje vetë z.Bezhani ishte nga më entuziaztët për ndërtimin e SPAK, pasi shpresonte se tani dosja e tij e akuzave do të merrej në shqyrtim nga një strukturë e posaçme që nuk bën komplimente dhe kështu që mund ta shijonte edhe ditën kur kundërshtarët e tij do t’i shihte prapa hekurave. Madje në këtë konflikt të frikshëm, të gjitha palët e përfshira u investuan energjikisht, duke mbushur faqe gazetash dhe pushtuar ekrane televizionesh. Ndërsa në ditën “e gjykimit” ishin gdhirë me qëllimin për të dribluar pjesën naive të Asamblesë, pasi deri në mesnatën e të shtunës kishin arritur një marrveshje befasuese. Tani nuk kishte më korupsion, abuzime me udhëtimet jashtë vendit, me bursat olimpike, nuk kishte më trajtim preferencial të disa federative dhe shoqatave, në kurriz të disa të tjerave, por vetëm një rezolutë të lexuar nga vetë presidenti Bezhani, me përmbajtje, por edhe të interpretuar me një timbër zëri thellësisht vëllazëror.
Ndërkohë që në raste të tilla rëmujash dalin në pah edhe ata që duan të shfrytëzojnë situatën, madje ta marrin atë në kontroll. Propozimi i Dukës së futbollit për zgjedhje të reja në KOKSH brenda 6 muajve të ardhshëm, ndoshta ishte më i miri, por që absolutisht nuk është karakteristikë e standarteve të tij. Këtu flitet për dikë që nuk e ka ndërprerë asnjëherë mandatin e Komitetit Ekzekutiv që komandon në FSHF, apo të tijin, qoftë edhe në raste mega-skandalesh, siç ishte dënimi 10-vjeçar i Skënderbeut nga UEFA për trukime ndeshjesh, ndërkohë që ka zhvilluar zgjedhje, duke sajuar më parë shoqata të paregjistruara askund dhe që nuk duhet të kishin mandate, por që e kanë votuar 100%. Në atë Asamble, Duka ishte jashtë oborrit të tij dhe befas i ishin aktivizuar parimet, ndërsa Bezhani dhe të tjerët në KOKSH thjeshtë po e imitonin. Në fund i detyruan të gjithë të ngrinin duart dhe u larguan në paqe, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Saimir Demi