Diferenca mbeti po ajo sepse rivali nuk gaboi, por mënyra sesi u fitua ndeshja krijoi më shumë besim për titullin. Liverpuli mundi 5-0 Uatfordin duke lënë pas dy barazime pa gola, ndaj Bajernit dhe Mançester Junajtidit, dhe mbajti vendin e parë në Premier Ligë. Sadio Mane shënoi dy gola, dhe njëri prej tyre ishte sublim, me goditje me takë, shenjë e klasit të tij të lartë, por edhe e klasit të skuadrës së Jurgen Klopit, klas që vetëm pak ditë më parë ishte kritikuar nga trajneri i Junajtidit, Solskjer.
Norvegjezi u kishte thënë lojtarëve se “Liverpuli nuk ka shans për titullin, nuk ka klasin e duhur, nuk më bëri shumë përshtypje”. Besohet se do t’i kenë bërë përshtypje golat e Manesë, i Origit dhe dy golat e Van Dajkut. Liverpuli mbajti kreun e renditjes me 69 pikë ndaj 68 të Sitit, që iu fal një penalltie të Kun Agueros për të mundur Uest Hemin në “Etihad”.
Në ndeshjet e tjera, Çelsi mundi Totenhemin në derbin e Londrës, duke lehtësuar presionin mbi trajnerin Sarri. Pedro në 57’ dhe autogoli i Tripierit vendosën ndeshjen, duke lënë Spërsat 9 pikë prapa kreut, ndërsa blutë kanë ende shanse për Championsin, 3 pikë larg Arsenalit të vendit të katërt.
Arsenali fitoi 5-1 në “Emirejts” ndaj Bornmuthit, me gola të Ozilit, Mkitarianit, Koshielnit, Obamejangut dhe Lakazetit. Mançester Junajtid është i pesti pas suksesit 3-1 në fushën e Kristël Palasit, me dy gola të Romelu Lukakut dhe një të Eshli Jangut.
Rezultatet: Liverpul-Uatford 5-0, Man. Siti-Uest Hem 1-0, Çelsi-Totenhem 2-0, Arsenal-Bornmuth 5-1, Kristël Palas-Man. Junajtid 1-3, Sauthempton-Fulham 2-0.
Renditja: Liverpuli 69, Man. Siti 68, Totenhemi 60, Arsenali 56, Man. Junajtid 55, Çelsi 53.
Sfidanti.al