Kurrë në karrierë nuk kishte shënuar dot një gol në kampionat ndaj Çelsit. Një nga gjërat e pakta që i kishte mbetur pa bërë, u realizua nga Kristiano Ronaldo, veçse mbrëmja nuk ishte edhe aq e lumtur. Përkundrazi, sepse barazimi 1-1 në “Old Traford” bëri që Mançester Junajtidi të mbetet edhe më prapa në “vrapin” drejt vendit të katërt, pra drejt kualifikimit për në Champions sezonin e ardhshëm. Çelsi ishte ekipi më i mirë në fushë, edhe pse po luante jashtë fushe dhe kaloi në epërsi në 60’ me anë të spanjollit Markos Alonso, veçse CR7 barazoi pa kaluar mirë dy minuta. Blutë e Londrës patën 65 për qind zotërim topi dhe 21 gjuajtje (6 Junajtidi) si dhe 6 në portë (3 Junajtidi). Kornet ishin 9-2 për miqtë, por për fat në fushë ishte Kristiano Ronaldo. Gjithsesi, Junajtidi ka tani 55 pikë në 35 ndeshje duke qenë në vend të 6-të, ndaj 60 pikëve të Arsenalit dhe 58 të Totenhemit që kanë luajtur vetëm nga 33.
Sfidanti.al