Afron vera dhe gjithçka nis e qartësohet. Armando Broja tek Napoli nuk është më thjesht një hipotezë, por një lëvizje konkrete e klubit të Serisë A italiane, i cili kërkon të forcojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. “La Gazeta delo Sport” shkruan se Broja është pjesë e strategjisë napolitane për të ardhmen, por bashkë me të në listë është edhe emri i Kristjan Asllanit. Mesfushori i Empolit, edhe pse vetëm 20 vjeç, ka fituar admirues këtë edicion për paraqitjet në radhët e Empolit. Presidenti i Napolit, De Laurentis, nuk është i kënaqur me dorëzimin e ekipit të tij në garën për titullin kampion, duke ia lënë gjithçka në dorë Milanit dhe Interit.
De Laurentis pati një mbledhje me lojtarët dhe me trajnerin Spaleti, pas humbjes pikërisht ndaj Empolit, ndërsa pritet që sulmuesi kryesor, Viktor Osimhen, të largohet. Osimheni shpreson të shkojë tek Arsenali në Premier Ligë, dhe klubi anglez mund të paguajë 100 milionë euro për kartonin e afrikanit. Këto 100 milionë do të përdoren në verë për përforcimet. Kartoni i Brojës arrin deri në 70 milionë euro, të paktën siç shkruajnë mediat angleze, ndonëse shifra më reale do të ishte deri në 40 milionë euro. Napoli kërkon edhe mesfushorin tjetër shqiptar të Empolit, Nedim Bajramin, e po ashtu edhe Parizin. Për treshen e Empolit, Asllani-Bajrami-Parizi mund të mjaftojnë 25 milionë euro.
Sfidanti.al