Goli i parë i Brojës në Angli është një rekord, askush si ai tek Sauthemptoni!

E kishte pritur kaq shumë këtë moment. Më në fund, Armando Broja e realizoi golin e tij të parë në Premier Ligën angleze, madje ishte një gol fitoreje. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi në nisje të pjesës së dytë duke u bërë rekordmeni i Sauthemptonit. Lojtari kuqezi është debutuesi më i ri si titullar për ekipin e tij që shënon në Premier, në moshën 20 vjeç e 36 ditë. E gjitha kjo pas një fillimi shumë të mirë të sezonit në Angli dhe në kombëtaren shqiptare. Broja ishte aktivizuar jo edhe aq shumë në Premier nga trajneri i tij Hazenhytl, duke u cilësuar si një zëvendësues shumë i mirë, por jo ende i gatshëm për të luajtur 90 minuta.

Në një ndeshje të kaluar ndaj Uest Hemit ai shkëlqeu në vetëm 15 minuta duke goditur shtyllën, e duke krijuar rreziqe të mëdha në portën e miqve. Në kombëtaren shqiptare ka qenë edhe më vendimtar. Sulmuesi ka shënuar dy gola vendimtarë në dy ndeshjet ndaj Hungarisë në eleminatoret e Kupës së Botës, në Elbasan dhe në Budapest. Bashkë me golin dhe dy asistet ndaj San Marinos, ai ka një efektivitet tepër të madh duke luajtur më pak se 90 minuta, dhe padyshim që është e ardhmja e kombëtares, ndërsa shpreson të kthehet edhe tek Çelsi, kampion i Europës që zotëron kartonin e tij.

Sfidanti.al