Golat shqiptarë në Europë: Shënojnë Laçi, Qose, Kamberi e Bajrami!

Lojtarë shqiptarë të Shqipërisë (apo pretendentë për kombëtaren) dhe të Kosovës shënuan këtë të diel nëpër Europë. Në Francë, Qazim Laçi shënoi në fitoren e Ajasios 3-0 ndaj Niorit në Ligën e Dytë. Mesfushori shqiptar realizoi një gol të shkëlqyer nga jashtë zone në minutën e 82-të duke vulosur shifrat, ndërsa është lideri i ekipit duke pasur fanelën me numrin 10.

Në Superligën e Republikës Çeke, Kristi Qose shënoi golin e parë për ekipin e tij, Karvina, që fitoi 3-0 në shtëpi ndaj Bugjejovicës. Mesfushori shqiptar realizoi në minutën e 7-të, ndërsa Karvina është shumë pranë mbijetesës duke pasur 33 pikë në vendin e 11-të nga 18 ekipe gjithsej.

Në Itali, Nedim Bajrami shënoi sërish për Empolin në Serinë B në fitoren 4-2 ndaj Breshës. Shqiptari i Zvicrës realizoi në 17’ për 2-0, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për ta bërë të mundur që ai të luajë për Shqipërinë. Empoli është në vendin e parë me 66 pikë dhe shkon drejt Serisë A.

Në Skoci, Florian Kamberi shënoi për Aberdinin duke ndihmuar kualifikimin në Kupë ndaj Livingstonit. Sulmuesi hyri në 59’ shënoi në kohën shtesë, ndërsa kualifikimi u vendos pas penalltive.

Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Leart Paçarada realizoi një gol të shkëlqyer në Bundesligën e dytë gjermane, në fitoren 4-0 të Sankt Paulit ndaj Vyrcburger Kikersave. Paçarada, që dha edhe një asist, shënoi për 3-0 në 22’. Ai refuzon të shkojë te Kosova përsa kohë që Bernar Shaland të jetë trajner. Lirim Kastrati, që luan për Kosovën, shënoi për Dozhën e Ujpeshtit në Superligën e Hungarisë.

Sfidanti.al