Ishte tepër i lodhur në përfundim edhe pse finalja nuk ishte nga më rraskapitëset. Novak Gjokoviç ka provuar sfida shumë më të mëdha në karrierë sesa ndeshja fundore në Australian Open ndaj Danil Medvedevit të cilën e fitoi 3-0, dhe që i dha Grand Slemin numër 19 në karrierë. Një lavdi e vërtetë për numrin 1 të botës, dhe për vendin e tij të vogël ballkanik, Serbinë, ndërsa Nole deklaroi se u ndje shumë keq në Melburn.
“Ky ishte një nga turnetë më të vështirë të karrierës sime, – deklaroi kampioni, – vetë kushtet në të cilat u zhvillua, karantina e zgjatur përpara fillimit dhe gjatë ndeshjeve ndikoi shumë nga ana psikologjike tek unë, besoj edhe tek tenistët e tjerë. Pavarësisht fitores së sotme mendoj se nuk do të jetë aspak e lehtë në të ardhmen ndaj brezit të ri, dhe Medvedevi është njëri prej sfiduesve tanë”.
Gjokoviç i fitoi setet 7-5, 6-2 e 6-2 në vetëm 1 orë e 53 minutash, shumë herë më pak sesa finalja e jashtëzakonshme e 9 viteve më parë ndaj Rafael Nadalit që zgjati përtej 5 orëve. Nole ka tani vetëm dy Grand Sleme më pak sesa Rozher Federer e Rafael Nadal, në një rivalitet të trefishtë që nuk është parë kurrë më parë në tenis. Ai thelloi rekordin në Australian Open në 9 tituj, 3 më shumë sesa ndjekësi më i afërt.
Sfidanti.al