Inter fitoi derbin 3-0 dhe shkëputet në Serinë A, por sa pa fat Milani i Ibrës!

Triumfi ishte i plotë dhe mund të jetë oguri i mirë për titullin. i tillë derbi i Lombardisë për Interin që u shkëput në krye të Serisë A, veçse rezultati 3-0 ishte vërtet i padrejtë për Milanin. Përtej 3 golave të skuadrës së Antonio Kontes, falë dyshes së shkëlqyer të sulmit Lautato Martinez-Romelu Lukaku, të besuarit e trajnerit Pioli bënë shumë, po për fat të keq nuk arritën të shënonin.

Zikaltërit ditën ta luanin siç duhet derbin më të rëndësishëm pas 10 vjetësh, me klas para portës, me mbrojtje të fortë e me kundërsulm të shpejtë, si dhe me fat. Dy herë shënoi Lautaro dhe një herë Lukaku që mbylli çdo llogari që në minutën e 66-të. Pjesa e parë ishte më e mirë për kryesuesit, që e përfunduan 1-0, veçse në pak minuta pas pushimit, gjithçka mund të kishte ndryshuar. Dy herë Ibrahimoviç e një herë Tonali patën rastet, jo për barazim, por për përmbysje, veçse portieri Handanoviç i ndali, ashtu si edhe gabimet e tyre.

A mund të thuhet se Milani nuk pati besimin dhe forcën e duhur për t’ia dalë? E vërteta është që një fitore e Interit ishte logjike, pasi gjithkush në Itali e jep skuadrën e Kontes si favorite për titull. Pas një fillimi të vështirë, zikaltërit po ia dalin. Interi kryeson Serinë A me 53 pikë ndaj 49 të Milanit, ndërsa jo më kot është skuadra që ka shënuar më shumë gola, 57, me diferencë nga gjithë të tjerët. Në mungesë edhe të ngarkesës europiane, të besuarit e Kontes duket se po shkojnë me besim dhe me siguri drejt titullit të parë pas 11 vjetësh.

Sfidanti.al