Edhe Skënderbeu “bëhet copë” ndaj Vllaznisë, shkodranët ndalen në Korçë!

Një tjetër hap i gabuar i Vllaznisë që e bën edhe më interesante luftën për titull në Superligë. Skuadra kryesuese nuk mori dot më shumë se një pikë në fushën e Skënderbeut duke u ndalur në barazim 1-1. Ky rezultat bëri që të afrohen skuadrat e tjera pretendente, dhe që shkodranët të rrezikojnë edhe më shumë pozitat e tyre në vendin e parë.

Skënderbeu pati epërsi në pjesën e parë, duke krijuar shumë raste për gol, por duke shënuar vetëm një herë me anë të afrikanit Duvuna. Pas pushimit, Vllaznia arriti të reagonte dhe ushtroi presion në portën e vendasve, por nuk realizoi dot më shumë se një gol. Edhe kjo ndodhi vetëm me anë të penalltisë, të kthyer në gol nga sulmuesi Dilaver.

Ky rezultat bëri që shkodranët të kenë vetëm 5 pikë më shumë në renditje sesa Laçi e Teuta, ndërsa pranë është edhe Partizani. Vllaznia po shfaqet ndryshe nga dy fazat e para të Superligës, kur krijoi një epërsi prej 9 pikësh, ndërsa tani gara për titull është më e hapur. Gjithsesi, vlen të theksohet se ndaj skuadrës së trajnerit Tomas Brdariç kundërshtarët po luajnë shumë fort, diçka që kohët e fundit nuk po duket se po ndodh ndaj Partizanit.

Sfidanti.al