Treshja më e mirë e kësaj epokës duket se do të cilësohet edhe treshja më e mirë e të gjitha kohëve. Novak Gjokoviç iu bashkua Rozher Federerit e Rafael Nadalit, në treshen e tenistëve që kanë fituar më shumë Grand Sleme në karrierë, edhe pse mes tyre mbetet edhe një “plak”. Kjo legjendë paksa më e vjetër quhet Pit Sampras, që ka 14 Çmime të Mëdha, aq sa iu bënë Gjokoviçit pas fitores spektakolare në US Open. Federer ka 20 duke qenë rekordmeni, ndërsa Nadali është ndalur në 17.
Gjokoviç pati një finale të fortë në Grand Slemin amerikan përballë Huan Martin Del Potros. Kampioni i vitit 2009 vërtet humbi 0-3 me sete, por e detyroi serbin të luftonte për gati 3 orë e gjysmë përpara se të fitonte. Setet ishin 6-3, 7-6 e 6-3 për Nolen, që tani ka tre tituj në US Open (pas 8 finaleve). Tenisti numër 3 i botës ka gjithashtu 6 Australian Open, 4 Uimbëlldone dhe 1 “Rolan Garos” në Paris. Po ashtu, ai u bë tenisti me fitimet më të mëdha direkt nga profesioni i tij sportiv, me 119 110 890 USD, ndaj mbi 118 milionë dollarëve të Federerit.
Sfidanti.al