Getafe nuk “luan me zjarrin”: Nuk do të shkojmë në Milano!

Edhe nëse përfundimi do të jetë një eleminim në tavolinë, sërish klubi spanjoll nuk ka ndërmend të ndryshojë qendrim. Presidenti i Getafes, Angel Torres, paralajmëron se nuk dëshiron të rrezikojë shëndetin e futbollistëve të tij, të stafit teknik dhe të zyrtarëve të klubit për ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Interit në Milano.

“Nuk do të udhëtojmë për në Milano, – u shpreh ai, cituar nga “Marka”, – edhe sikur të eleminohemi, sërish nëk do ta bëjmë. Vetëm nëse gjendja ndryshon ndjeshëm, do të shkojmë. i kemi kërkuar UEFA-s të na gjejë një stadium tjetër për ndeshjen. Nuk kemi ndërmend të jemi në focus të koronavirusit, nuk kemi përse. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga Federata”.

Gjendja në Milano, dhe në tërësi në Lombardi, është dramatike, të paktën sipas lajmeve që vijnë nga Italia. Shumica dërrmuese e viktimave në Itali janë pikërisht në Lombardi, 468 deri të martën në mbrëmje, dhe 135 në 24 orë (529 të vdekur në gjithë vendin). Po mendohet që të ndalohet edhe transporti publik si dhe shitoret me pakicë. Për momentin, sipas UEFA-s, ndeshjet e Ligës së Europës, Sevilja-Roma dhe Inter-Getafe do të luhen, por pa tifozë.

Sfidanti.al