Me tifozë, me mend në kokë, dhe me gola, këtë Liverpul do Klopi!

Nuk do të ketë të papritura në “Anfild”, ndërsa qyteti në brigjet e lumit Mersej dhe të Oqeanit Atlantik ende nuk do t’ia dijë për koronavirusin. Rreth 44 000 tifozë pritet të jenë në stadiumin legjendar për ndeshjen e sezonit, atë të Liverpulit ndaj Atletikos së Madridit. Mbrëmja parashikohet të jetë e gjatë dhe e vështirë, si ato të dikurshmet ndaj Sent Etienit, Dortmundit apo Olimpiakosit, dhe trajneri Jurgen Klopi pati një takim sqarues me futbollistët e tij.

“Duhet të bëni kujdes nga taktikat “e pista” të kundërshtarëve, – mësohet se ka thënë ai, – ashtu siç ndodhi në ndeshjen e parë, do të përpiqen të ndikojnë tek gjyqtari që ju të merrni kartonë”. Klopi, më pas, në konferencën për shtyp, sqaroi se çfarë pret nga skuadra e tij. “Pres që të ketë më shumë gjuajtje në portë, – u shpreh ai, – kjo gjë nuk u bë siç duhet në ndeshjen e parë dhe duhet të bëhet tani. Do të duhet të kalojmë mbrojtjen më të fortë në thellësi të Europës”. Lajmet e mira janë që mbrojtësi i krahut, “pistoni” i skuadrës, Endrju Robertson dhe kapiteni Xhordan Henderson kanë mundësi të luajnë.

Sfidanti.al