Gatuzo tremb edhe Interin, Milani i afrohet zonës Champions

Nuk quhej dhe ende nuk mund të cilësohet trajner i madh, por pa dyshim një fitues i madh. Xhenaro Gatuzo arriti ndeshjen e 10-të radhazi pozitive në stolin e Milanit, në të gjitha frontet (7 fitore, 3 barazime), ndërsa skuadra e shquar, por e rënë nga vakti, milaneze, oi afrua edhe më shumë zonës që të gjithë e ëndërrojnë.

Fitorja (edhe pse e vogël, 1-0) ndaj Sampdorias bëri që kuqezinjtë të barazohen me gjenovezët në vendin e gjashtë në renditjen e Serisë A, pra me mundësi të plota për të qenë në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm, veçse mund të pretendojnë edhe për diçka më shumë.

Zona Champions ka Lacion në +5 pikë, por me një ndeshje në dorë për të luajtur, si dhe Interin në +7. Është pikërisht kjo diferencë me zikaltërit që i bën optimistë kuqezinjtë, dhe arsyeja kryesore është sepse kanë rikuperuar 11 pikë në më pak se dy muaj.

Kjo, edhe pse Milani i Gatuzos shënon pak, vetëm 35 gola, duke pasur sulmin e 9-të më të fortë në Serinë A, shumë poshtë skuadrave më të mira. Gjithsesi, futbollistët kanë fituar shumë karakter falë pikërisht trajnerit të tyre dhe sot duken shumë më të fortë sesa më parë. Bonaventura (autori i golit ndaj dorianëve), Donaruma, Bonuçi, Kutrone, Suso, Çalhanoglu, Romanjoli apo Bilia janë të gjithë garanci të rëndësishme.

Milani ka 41 pikë pas 25 ndeshjeve, po aq sa Sampdoria, ndërsa Lacio ka 45 e Interi 48, për të mos folur për Romën me 50, Juventusin me 65 dhe Napolin me 66.

Sfidanti.al