Futbolli europian i shqiptarëve, në fund fiton gjithmonë Laçi!

Mund të thuhet se shorti ishte më i lehtë, mund të komentohet sipas dëshirës, por e vërteta është që skuadra e Shpëtim Duros dha një tjetër leksion. Pasi eliminoi vjet Podgoricën dhe Universitatean e Krajovës, për t’u dorëzuar përballë Anderlehtit emërmadh, skuadra kurbinase kaloi në raundin e dytë të Ligës së Konferencës me fitoren 1-0 në Mal të Zi ndaj Iskrës së Danilovgradit. Një gol i shkëlqyer i Mentor Mazrekajt në pjesën e parë (19’) bëri që Laçi të kalonte raundin edhe për këtë vit. E pra, Universitatea e Krajovës vjet nuk ishte aspak gjë e vogël, ndërsa këtë vit nga ekipi laçian janë larguar të paktën 3-4 futbollistë shumë të mirë.

Ndryshe përfundoi aventura europiane e Partizanit (në foto), që u mund në “Arenën Air Albania” nga skuadra gjeorgjane e Saburtalos së Tbilisit. Pavarësisht fitores 1-0 jashtë fushe, të kuqtë nuk e përballuan dot plotësisht ekipin kundërshtar, që ishte më lart fizikisht se ata, pasi ka luajtur 21 ndeshje në kampionatin e tij kombëtar. Guliashvili shënoi në 53’ dhe pas 120 minutave u gjuajtën penalltitë. Edhe pse Aldo Teqja bëri mrekullinë me dy pritje sërish kryeqytetasit humbën 11-metërshat me anë të Atanaskoskit, Rrapajt dhe Magetit. Ky ishte eliminimi i dytë i një skuadre të Shqipërisë pas atij të Tiranës që i humbi të dyja ndeshjet në Champions me Dudelanzhin e Luksemburgut.

Sfidanti.al