FSHF pse nuk the të vërtetën për fushën, duheshin 90 ditë që të ishte gati!

Në çdo moment, thuhej shprehja standarde “çdo gjë do të jetë gati”. Ky ishte refreni në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për ecurinë e punimeve në Arenën e re, por gjendja e fushës ishte ndryshe në prag të duelit me Francën. Burime në Federatë bëjnë me dijë se tapeti i vendosur në “Arenën Air Albania” kishte nevojë për 90 ditë që të bëhej gati për të pritur një ndeshje futbolli.

Kjo, ndryshe nga shumica e fushave të vendosura në stadiumet e tjerë të Shqipërisë, që kanë nevojë për 45 ditë kohë, maksimumi 2 muaj. Shtrimi i tapetit në Arenë nisi në 10 shtator dhe përfundoi në 17, pra fiks dy muaj përpara duelit me Francën në eleminatoret e Europianit. Kjo do të thotë se deri në 17 nëntor, kur edhe u zhvillua përballja,  do të mungonte edhe 1 muaj që terreni të ishte në kushtet e duhura.

Kjo u duk qartë, qoftë në ndeshjen e kontrollit mes ekipeve të femrave të Vllaznisë dhe Apolonisë, por po ashtu edhe në atë Shqipëri-Francë. Tashmë, në Federatë po presin gjykimin e specialistit grek që u mor me shtrimin e barit. Nga përgjigja e tij dhe nga analiza e terrenit, do të vendoset se kur do të luhet sërish në Arenë. Ekziston mundësia që stadiumi të presë ndeshje vetëm në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, por ndoshta mund të bëhet një përjashtim për derbin Partizani-Tirana javën që vjen.

Sfidanti.al