Në Angli e përdorin shpesh shprehjen “djemtë kundër burrave”, kur përballë vihen një skuadër me moshë të re dhe pa përvojë, si dhe një ekip ekspert. Borusia e Dortmundit çdo javë e më shumë po duket si një formacion i mbushur me yje të talentuar, por kaq pa eksperiencë, saqë prej tyre mund të pritet çdo gjë. Kështu ndodhi mbrëmjen e djeshme kur ndaj Paderbornit të rikthyer në Bundesligë, thuajse u humb në “Signal Iduna Park”, në sytë e “murit të verdhë” të tifzoëve. Miqtë kryesuan 3-0 në pushim, pas dy golave të Mambës dhe rrjetës së Holtmanit. Pas pushimit, Dortmundi barazoi me golat e realizuar nga Sanço, Vicel dhe Rojs në sekondat e fundit.
Për momentin, trajneri Lysien Favre nuk shkarkohet, por mbetet në rrezik. Gjithsesi, edhe nëse zviceranit largohet nga detyra, pak besohet se yjet e Borusias do të bëhen më të pjekur. Ata herë bëjnë mrekulli siç ndodhi në pjesën e dytë ndaj Interit e Paderbornit, apo në finale të Superkupës së Gjermanisë ndaj Bajernit, ose turpërohen, siç i ndodhi pjesën e parë me Paderbornin, apo në ndeshjen në Mynih një javë më parë, kur u mundën 0-4.
Sfidanti.al