Françesko Toti, lojtari që u bë më i madh se klubi i tij, Roma

Kur ai ishte një fëmijë nuk mund ta imagjinonte se do të vinte një ditë që e gjithë Roma do të simbolizohej me të. Françesko Toti kaloi vitet e vegjëlisë në klube të tjerë dhe në moshën 13 vjeç trokiti në dyert e skuadrës së famshme të kryeqytetit. Pasi hyri në atë derë, i hodhi çelësat në Lumin e Teverit pasi nuk i duheshin më. “Kam lindur roman dhe do të vdes roman”, ishin fjalët e tij. Një tjetër fjalë e shkeli, pasi kur ishte 21 vjeç premtoi se nuk do të luante deri 40 vjeç.

Sot ai po luan ndeshjen e fundit me Romën e tij, ndërsa 40 vjeç i mbushi shtatorin e kaluar. Nuk do të jetë lamtumira më e mirë e mundshme, aspak e denjë për një gjigand si ai, por faji është padyshim i dyfishtë. i vetë legjendës që zgjati më shumë sesa duhet, dhe i klubit që nuk mundi ta menaxhonte më mirë situatën. Jo më kot media e shquar “goal.com” titullonte, “Toti, djali që mblidhte topat, dhe që u bë më i madh se klubi i tij”.

“Françe” ka luajtur gjithsej 785 ndeshje dhe ka shënuar 307 gola në karrierë. Me 250 gola në Serinë A, ai është shënuesi më i mirë ndër lojtarët aktivë, i dyti shënues më i mirë në histori pas Silvio Piolës, dhe më i mirëi ndër lojtarët që kanë luajtur me një skuadër të vetme. Ai fitoi një herë Këpucën e Artë të Serisë A.

Madhështia e tij mbetet ajo që zgjodhi përgjithmonë Romën, duke refuzuar rroga më të mëdha dhe trofe të shumtë nëse do të kishte shkuar tek Reali apo tek Milani. Kabineti i tij i trofeve është relativisht i varfër, me 1 titull kampion, 2 Kupa të Italisë dhe 2 Superkupa të Italisë, por vështirë se ndonjë lojtar tjetër në botë mund të krahasohet me personalitetin e Totit.

Tifozët e Romës do të kenë mundësi ta shohin për herë të fundit, qoftë për disa minuta në ndeshjen ndaj Xhenoas, që fillon sot në orën 18:00 në stadiumin “Olimpiko”. Më herët, kapiteni verdhekuq u përshëndet nga tifozët e Milanit, madje edhe nga ata të Lacios, të cilët nxorrën parullën “Armiqtë e përjetshëm përshëndesin Françesko Totin”. Tifozët e Romës shpalosën në hyrjen e kompleksit stërvitor “Trigoria”, një parullë 130 metra të gjatë ku shkruhej: Nuk qaj që po largohesh, por qesh sepse ti ekzistove”.

Sfidanti.altoti banderolatoti tifozet e lacios