Franca nxjerr “të palarat” e Nejmarit, ja të fshehtat e brazilianit!

Mund të jesh talent i madh futbolli, por kjo nuk do të thotë se mund të jesh i përsosur. As që bëhet fjalë. Nejmar është një kënaqëi për syrin ndërsa luan me topin, por aspak i këndshëm kur lexon në gazetë “të palarat” që i zbulojnë mediat. “L’Ekip” në Francë nxjerr sekretet e bisedimeve të tij gjatë verës me Paris SG.

Transferimi i yllit të Barcelonës në kryeqytetin francez ishte shumë pranë, por nuk ndodhi për një kërkesë “të vogël” të brazilianit. Kur palët kishin rënë dakord për të paguar klauzolën e transferimit dhe rrogën e Nejmarit, ky ka nxjerrë një pretendim tjetër. i ka kërkuar sheikut Naser Al Helaifi që t’i japë 45 milionë euro në dorë për të paguar gjobën që i kanë vënë në Brazil për mospagim të taksave.

Pavarësisht se Al Helaifi i ka paratë me “thasë”, kjo për të ishte e tepërt. U prish akordi virtual sipas të cilit PSG do t’i paguante Barcelonës 190 milionë euro për klauzolën e Nejmarit, dhe vetë lojtari do të merrte 35-40 milionë euro si rrogë vjetore. Shifra të çmendura, por më e çmendur kërkesa e numrit 11 që e “mbushi kupën”.

Barcelona e paraqet Nejmarin si një lojtar që respekton fanelën, dhe u kërkon tifozëve që ta duan njërin nga yjet e treshes së sulmit “MSN”. Nuk besohet se kjo histori do t’i prishë shumë punë lojtarit, dhe MSN me siguri do të mbetet sërish treshja më e mirë ofensive e botës, por dalja e “të palarave” në shesh nuk lë aspak shije të mirë.

B.Kuka