Mbarësi më e madhe se kaq nuk mund të vijë ndonjëherë, dhe të gjithë elementët u kombinuan në mënyrën më pozitive të mundshme për Maks Verstapenin. Piloti holandez i Red Bullit u ngjit në krye të renditjes së Botërorit të Formula 1 pas fitores në Çmimin e Madh të Montekarlos. Fillimisht, ai u ndihmua nga fakti se Sharl Lëklerk i Ferrarit nuk mundi ta niste garën për shkak të dëmtimit në makinë një ditë më parë, kur fitoi vendin e parë në provat zyrtare.
Ljuis Hamilton u nis nga vendi i 6-të dhe përfundoi i shtati, ndërsa Valteri Botas që ndoshta mund ta kishte sfiduar për vendin e parë, pësoi një problem në ndalesë kur njëra gomë u bllokua dhe mekanikët nuk ishin në gjendje që ta ndërronin. Pas garës në rrugët e qytetit të Principatës, Verstapen mori 25 pikë dhe u ngjit në krye të renditjes me 105 pikë gjithsej. Ljuis Hamilton mori 6 pikë për vendin e 7-të, mori 1 pikë për xhiron më të shpejtë, ndërsa tani ka 101 pikë në vend të dytë. Natyrisht, gjithçka është e hapur, por kuptohet që Botërori i këtij viti do të jetë shumë më i fortë. Edhe Red Bulli doli në vend të parë për skuadrat, duke pasur 149 pikë ndaj 148 të Mercedesit. Kjo sepse Karlos Perez mori 12 pikë të tjera.
Sfidanti.al