Formula 1, më e shpejtë, por shumë më e ashpër për pilotët!

Kritikët u lodhën duke i quajtur makinat e këtyre viteve në Formula 1, si lodra fëmijësh. Ata, njëlloj si admiruesit e futbollit anglez apo regbisë, kanë bërë thirrje me vijë për makina më të vështira për t’u drejtuar, në mënyrë që pilotët të shikojnë se çdo të thotë të jesh në këtë sport. E po mirë, organizatorët e kampionatit botëror të këtij viti kanë vendosur t’ua bëjnë qejfin, dhe makinat janë kthyer në variantet klasike të shekullit të 20-të.

Më të shpejta, më të rënda, më të gjera, më të vështira për t’i komanduar. Do të duhen njerëz si Airton Sena, Alen Prost, Nelson Pike, Najxhëll Mansell apo Mikael Shumaher për t’ia dalë mbanë. Hamilton apo Fetel janë të paralajmëruar.

Makinat do të jenë 20 kg më të rënda (722 kg gjithse), 20 cm më të gjera (2 metra gjerësi), më të ulëta (me 15 cm më pak), dhe po ashtu gomat e prapme do të jenë më të gjera me 8 cm.  Pritet që të ketë ndoshta më shumë aksidente (për shkak edhe të lodhjes), por edhe pritet që rekordet që nuk preken prej 13 vjetësh, të rrezikohen dhe pse jo edhe të thyhen. Në provat e zhvilluara në Barcelonë, Ferrari ishte makina më e shpejtë, të shohim sesi do të jetë rivaliteti në garën e parë të sezonit në 26 mars.

Sfidanti.al