A mund ta braktisë Nejmari, Barcelonën, për të shkuar në Angli?

Ai ka një kontratë deri në vitin 2021, luan në klubin më të madh të futbollit të shekullit të 21-të dhe në krah të yjeve të tillë si Lionel Mesi apo Luis Suarez. A mundet që një futbollist të ikë nga kjo parajsë e garantuar për të shkuar në një ligë tjetër, më të ashpër dhe më pak teknike? Kjo pyetje natyrisht i duhet bërë brazilianit Nejmar, i cili sipas mediave paska deklaruar dëshirën që një ditë të luajë në Premier Ligën angleze.

Përse? Së pari, sepse në Angli ka një luftë shumë më interesante për titullin kampion, me 4 skuadra që kanë triumfuar në 4 sezonet e fundit, ndërsa këtë vit ishin 6 ekipe me shpresë deri vonë. Së dyti, në Angli sot drejtojnë trajnerët më të mirë në botë, të paktën shumica e tyre. Pep Guardiola, Zhoze Murinjo, Jurgen Klop, Antonio Konte, Arsen Venger (mund të quhet ende i madh, apo jo?) janë disa prej tyre, por edhe të tjerë si Maurisio Poçetino apo Ronald Kuman, që mund të vlerësohen.

Gjithsesi, fjalët e Nejmarit janë “një ditë do të doja të luaja në Angli”, pra shprehin më shumë një dëshirë sesa një plan konkret. Për më tepër, braziliani duhet të marrë informacion për mënyrën e gjykimit, pasi arbitrat lejojnë lojë të ashpër, ndërsa “Ney” është mësuar të jetë i mbrojtur në futbollin spanjoll.

Sfidanti.al