Florentino Perez nuk është si “puna jonë”: Jo “Bernabeun”, Barcelonës!

Barcelona nuk do të luajë në “Santiago Bernabeu” finalen e Kupës së Mbretit ndaj Alaveshit. Mediat spanjolle shkruanin më herët se katalanasit kishin menduar për stadiumin e Madridit si vendi më i përshtatshëm për sfidën që dorëzon trofeun e parë të fundit të sezonit, por “të zotët e shtëpisë” nuk ishin të këtij mendimi. Numri 1 i Realit duket nuk deshi të fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai nuk tha që “ne nuk duam që t’ia japim stadiumin Barcelonës”. “Finalja, – ishin fjalët e Perezit, – nuk mund të luhet në “Bernabeu” sepse në atë periudhë do të ketë punime për mirëmbajtjen”.

Tifozët madrilenë do të kenë mbetur shumë të kënaqur nga zgjuarsia e presidentit të tyre, pasi me siguri nuk kanë dashur që katalanasit rivalë të festonin një titull në atë që e quajnë shtëpia e Realit. Florentino Perez nuk u soll si Rid Halili i cili ra dakord që Partizani të luajë në stadiumin e Tiranës, “Selman Stërmasi”, edhe pse u duk se u detyrua të binte dakord. Perezit, ndryshe nga Halilit, duket se nuk kanë mundësi t’i bëjnë presion.

(Shënim: Barcelona duhet të zgjedhë mes stadiumit “Visente Kalderon” po të Madridit, ose “Mestajës” së Valencias).

Sfidanti.al