Brexit ndihet edhe në futboll, pyesni Mançester Junajtidin!

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut (njohur më popullorçe si Britania e Madhe) nga Europa mund të quhet një ndryshim thuajse epokal, dhe një ndikim serioz në çdo fushë, ishte i pritshëm. Ja që po godet edhe futbollin, diçka që për anglezët ka qenë vërtet global. Mançester Junajtid, klub i blerë nga aksionerë amerikanë, thotë se problemet janë shtuar me Brexit-it, pasi është rritur niveli i borxhit. Detyrimi i “djajve të kuq” ndaj palëve të tjera ishte 338 milionë stërlina, por që nga referendum është rritur me 27.1 për qind, duke arritur në 409.3 milionë stërlina. E gjitha kjo, siç e spjegon zv. Presidenti Ed Uduord, ka ardhur nga forcimi i dollarit.

Shqetësim tjetër është kualifikimi për në Ligën e Kampionëve. Nëse skuadra e Murinjos nuk ia del të shkojë në Champions, Junajtid humb 20 milionë stërlina vetëm nga kjo mospjesëmarrje, ndërsa Adidas, e ul me 20 për qind kontratën e tij të sponsorizimit prej 75 milionë stërlinash në vit. Gjithsesi, fitimet vitin e kaluar u rritën pavarësisht gjithçkaje, pasi të drejtat televizive, shitja e biletave dhe ajo e fanelave (mbi 2.9 milionë gjithsej), bënë që arkat e klubit të mbusheshin me para.

Sfidanti.al