Presidenti i Realit, Florentino Perez, ka dhënë disa sinjale se çfarë do të bëjë klubi i tij gjatë verës. Numri 1 i më të fortëve në botën e futbollit, tani për tani, ka zbuluar disa nga planet e tij përsa i përket blerjeve apo largimeve. Në një mënyrë dinake, por ndoshta edhe të sinqertë, ai hodhi poshtë interesimin për De Gean. “Ne kemi Kejlor Navasin, – tha presidenti, – lojtarët e duan, edhe tifozët, dhe po ashtu trajneri. E donim De Gean sepse nuk njihnim mirë Kejlorin”. Këtu, ose flitet sinqerisht që De Gea nuk ka vend në “Santiago Bernabeu”, ose që po bëhet një manovër për ulje çmimi.
Asnjë hezitim për Kilian Mbapenë. “Zidan e ka parë kur ishte 16 vjeç dhe e vlerëson larg, – u shpreh Perezi, – ai ka cilësi të larta dhe do të bëhet një nga më të mëdhenjtë, dhe ne e kemi nën vëzhgim”. Të njëjtat fjalë për Xhixho Donarumën, “po e ndjekim çështjen e tij”.
Së fund, Kristiano Ronaldo, me një lloj kërkese falje të kujdesshme dhe elegante. “Nuk kam folur me Kristianon që pas finales së Kardifit (Champions ndaj Juventusit), ndaj kjo gjë mund ta ketë prekur”, – tha presidenti. Gjesti nga Perez tashmë është bërë dhe pritet përgjigja e Ronaldos, që ndoshta mund të mos largohet nga Reali, edhe pse mund të dënohet për taksat.
Sfidanti.al