Lionel Mesi zgjodhi një ndeshje me mjaft shokë të rinj në fushë për të thyer rekordin e goditjeve të dënimit të Barcelonës. Ylli argjentinas shënoi sërish nga një pozicion standard, duke arritur në shifrën 27 në karrierë për “blaugranët” dhe duke lënë pas mitikun Ronald Kuman, që kishte 26. Vetëm në 5 javë të vitit 2017, Mesi ia ka dalë katër herë, dhe fakti më i rëndësishëm është se vetëm falë tij, Barça është ende pretendente për kampionatin.
Suksesi ishte 3-0 në “Kamp Nou” ndaj Atletik të Bilbaos, në një takim ku golat e tjerë i shënuan “rezervat” si Pako Alkaser dhe Aleish Vidal. Trajneri Luis Enrike hodhi në fushë Vidalin, Matjënë, Rafinjën, Andre Gomesin, Arda Turanin dhe Pako Alkaserin, duke lënë në stol Suarezin dhe Zhordi Albën, ndërsa nuk rrezikoi për Iniestën e Busketsin. Në pjesën e dytë, nga loja doli edhe Mesi.
Katalanasit kanë 45 pikë, një më pak se Reali që ka luajtur minus dy ndeshje, dhe që ka mundësi të krijojë sërish shkëputje. Barça është më mirë, për momentin, me golat e shënuar, pasi ka 55 rrjeta ndaj 51 të madrilenëve. Suarez e Mesi janë edhe golshënuesit më të mirë të ligës me nga 16 gola, ndaj 13 të Ronaldos.