Financat e Mançester Sitit, ose “u mbars mali, e polli një mi”

Mançester Siti sapo ka vendosur një rekord për të ardhurat sezonale. Flitet për një rekord të klubit, pra një shifër që Siti nuk e ka arritur kurrë më parë, dhe që është plot 473.4 milionë paund stërlina, ose mbi 535 milionë euro. Imazhi gjithnjë në rritje i “Qytetarëve” dhe futbolli i tyre spektakolar me Pep Guardiolën (flitet për sezonin e kaluar) bëri që të ardhurat të rriteshin me 21 për qind. Deri këtu shumë mirë.

Një tjetër “kolonë” në bilancet e klubit, tregon sesa janë rritur rrogat në këtë periudhë. Ato janë shtuar me plot 37 për qind, dhe kanë “kërcyer” nga 197.6 milionë paund stërlina, në 264.1. Kjo shifra e fundit përkthehet në 298.6 milionë euro. Kjo ishte kostoja e mbështetjes që klubi i dha Guardiolës për të kërkuar triumfin në Premier Ligë dhe në Champions. Kjo rritje e madhe e rrogave, plus shpenzimet e tjera operative, bënë që fitimet e Sitit të zbrisnin nga 20.5 milionë paund stërlina, në vetëm … 1.1 milionë. Kjo do të thotë “u mbars mali dhe polli një mi”. Gjithsesi, shefi i klubit, Haldun Al Mubarak thotë se këto shifra tregojnë se Siti është i përkushtuar për të pasur stabilitet në rezultate dhe për të qenë një klub me suksese të mëdha sportive.

Sfidanti.al