Masimiliano Alegri ka besim tek skuadra e tij, por edhe tek Lacio nuk mungon bindja se mund t’ia dalë në finalen e Kupës së Italisë. Drejtori sportiv, Igli Tare, e ka vlerësuar Juventusin si “skuadrën më të fortë në Europë”, por ka shtuar se “ne nuk nisemi të humbur që në fillim”. Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare veçon faktin se finalja do të luhet në stadiumin “Olimpiko”, në një fushë që Lacio e njeh mirë pasi është shtëpia e vet, ndonëse numri i tifozëve pritet të jetë i ekuilibruar.
“Ndeshja do të jetë shumë e vështirë, – thotë Tare, – luajmë ndaj më të fortëve në Europë, por nuk nisemi të mundur. Dimë të bëjmë të papritura dhe nuk jemi kot në finale. Më vjen mirë për Keitën që po luan një sezon të madh, por merita është së pari e Inzagit. Simone është trajneri ideal për ne”.
Alegri, ndërkaq, shpreson që disfata po në “Olimpiko”, veçse në kampionat ndaj Romës, t’i bëjë mirë ekipit të tij. “Nëse nuk jemi të përqëndruar maksimalisht, humbim, – shprehet trajneri kampion, – të mos mendojmë për Championsin, por për Lacion, dhe pastaj për Krotonen”. Alegri thotë se Lacio është një skuadër shumë e mirë dhe se trajneri Inzagi meriton komplimentet. Juventusi ka në dyshim disa lojtarë si Barxali, Dibala dhe Manxhukiç. Finalja e Kupës së Italisë luhet në orën 21:00.
Sfidanti.al