Një nga mjekët: Historitë për gjurin e jashtëzakonshëm të Ibros janë përralla!

Futbollisti Zllatan Ibrahimoviç, mbas operacionit që bëri në gju, po ripërtërihet në Florida, ndërsa pritet që në fushë ai të kthehet në fillim të vitit 2018. Javën e kaluar, ai iu nënshtrua një operacioni, pasi u dëmtua rëndë në gju gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës mes Junajtidit dhe Anderlehtit. Atëkohë, u tha se operacioni kaloi mirë, se mjekët ishin befasuar nga fortësia e kockës së gjurit të Ibrahimoviçit dhe se mjekët do ta studionin më hollësisht gjurin e tij, pasi, asnjëherë më parë, ata nuk kishin parë një diçka të tillë!

Por, një nga mjekët e pranishëm në operacion, Volker Mushal, i përgënjeshtroi këto informacione. “Ai ishte një operacion rutinë dhe nuk pati asnjë komplikim. Zllatani ka një strukturë të mirë kockore të gjurit dhe ajo është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, teprohet, kur thuhet se gjuri i tij do të jetë objektiv i studimeve të mëtejshme.Këto janë përralla. Kur është fjala për këtë futbollist, ne ende nuk mund ta themi me saktësi sesa kohë do të vazhdojë kurimi dhe se kur ai do të kthehet në fushë”, deklaroi mjeku i mësipërm.

Sfidanti.al