Festival i Barcelonës në Madrid, ndaj Realit u hap epoka “Ksavi”!

Tradita e Johan Krujfit nuk paska ndërmend të “vdesë” në Katalonjë. Barcelona, skuadra ndoshta më e veçantë e botës, u tregua edhe një herë krejtësisht speciale dhe pikërisht në skenën më të madhe të mundshme. Fitorja 4-0 në El Klasikon në “Santiago Bernabeu” tregoi se “tika taka” është kthyer nën dirigjimin e një mjeshtri si Ksavi Hernandez. Njeriu i sotëm i stolit, një legjendë “blaugrana” në fushën e lojës, tregoi se mund të bëhet një fenomen edhe si trajner.

Suksesi dërrmues u arrit në fushën e Realit, në prani të publikut kundërshtar, në një kohë që madrilenët e Karlo Ançelotit janë dominues të La Ligës, ndërsa eliminuan në mënyrë madhështore Paris SG-në e Kilian Mbapesë, Lionel Mesit dhe Nejmarit! Një epokë e re po hapet në futbollin spanjoll dhe atë europian, po kthehet Barcelona e madhe, ajo që kemi parë me Johan Krujfin, Pep Guardiolën dhe Luis Enriken. Edhe pse ekipi i Ksavit është ende në “provat gjenerale”, dhe këtë vit tepër vështirë ta fitojë titullin, sërish mekanizmat e lojës u dukën në përsosmërinë e tyre. Erik Garsia, Arauho, De Jong, Pedri, Obamejang, Ferran Torres dhe Dembele ishin të jashtëzakonshëm, ndërsa Pikenë, Busketsin, Zhordi Albën e dinim që më parë se kush ishin.

Barcelona mbajti topin 59 për qind në “Bernabeu”, bëri 621 pasime ndaj 410 të vendasve, shënoi 4 gola dhe mund të kishte shënuar edhe 4 të tjerë të paktën. Pati 17 gjuajtje (9 Reali) dhe 10 në kuadrat (4). Jo më kot, “Marka” e cilësoi si një “natë historike” që nuk do të harrohet lehtë, ashtu si 2-6 apo të tjerë triumfe të katalanasve.

Real Madrid (4-1-4-1): Kurtua, Karvahal (Mariano 47’), Militao, Alabao, Naço (Lukas Vaskez 63’), Kasemiro, Valverde, Modriç, Kros (Kamavinga 46’), Vinisius, Rodrigo (Marko Asensio 63’). Tr. Ançeloti

Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen, Arauho, Pike, Erik Garsia, Zhordi Alba (Dani Alvesh 86’), De Jong (Gavi 71’), Buskets, Pedri (Niko 86’), Dembele (Traore 80’), Obamejang (Depai 71’), Ferran Torres. Tr. Ksavi

Sfidanti.al